Dorëheqjet e serbëve nga FSK, ministri: Përpjekje për dëmtim imazhi

08/07/2018 13:14

Ministri kosovar i Forcës së Sigurisë i cilësoi dorëheqjet e pjesëtarëve të kësaj force nga radhët e komunitetit serb, si përpjekje për dëmtim të imazhit të FSK-së.

Rustem Berisha i bëri këto komente, pasi një grup pjesëtarësh serbë të kësaj force u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra, për shkak të trysnisë së Beogradit ndaj tyre. Berisha sqaroi se, kërkesat do të shqyrtohen brenda afateve të parashikuara ligjore.

“Ndiejmë keqardhje për këta pjesëtarë tanë, të cilët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për të ardhmen dhe karrierën e tyre”, u shpreh ministri, duke nënvizuar ndërkohë se ata ishin integruar më së miri në kuadër të kësaj strukture.

Ata, sipas Berishës, ishin në nivel të plotë të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, ndaj dhe i përshkroi si të papranueshme shantazhet e kërcënimet e bëra, si dhe një shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

Përpara tri ditësh, kjo çështje detyroi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj të dilte në një konferencë për shtyp, e të sqaronte se kishte thirrur mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar dorëheqjet në fjalë dhe presionet që Beogradi po iu bën pjesëtarëve serbë të FSK-së.

Haradinaj kujtoi se, sot ka qytetarë serbë të Kosovës që marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe trajtohen si të barabartë, edhe pse dikur kjo nuk lejohej nga Serbia, ndaj “veprimet e tanishme të Beogradit zyrtar, – deklaroi ai, – janë fare të pakuptueshme”.

Top Channel