Ministri malazez: Kosova është e pavarur, nuk e tradhtuam Serbinë

07/07/2018 18:30

“Mali i Zi i nuk e ka tradhtuar Kosovën, sepse Kosova nuk është pjesë e Malit të Zi, por shtet i pavarur. Mali i Zi nuk e ka tradhtuar Serbinë, sepse Mali i Zi nuk është pjesë e Serbisë që të mundë ta tradhtojë Serbinë”.

Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi pas reagimeve nga Serbia për vendimin që Mali i Zi të dërgojë dy oficierë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Për këtë gjë, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin kishte thënë se vendimi i Malit të Zi nuk është aspak miqësor.

Por ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predgrag Moshkoviç ka thënë se vendimi ishte i drejtë dhe i vetmi opsion. Ai ka theksuar se ky vendim është marrë për arsye pragmatike me qëllim të kontributit për sigurinë rajonale.

Ai ka kujtuar se Aleksandar Vuçiç ka thënë se KFOR-i është garantuesi më i madh i stabilitetit dhe i sigurisë së bashkësisë serbe në Kosovë.

“Prandaj nuk e shoh se si vendimi i Malit të Zi mund të jetë kundër nëse i tërë misioni është me qëllim të ruajtjes së bashkësisë serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

Top Channel