Kultivonte kanabis në shtëpi, arrestohet 25-vjeçari në Durrës

07/07/2018 21:52

Policia në Durrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shkozeti”, duke arrestohuar një person dhe shpallur në kërkim 1 tjetër.

Policia bën të ditur se personi i arrestuar kultivonte bimë narkotike në ambient të mbyllur te përshtatur.

Sipas policisë në pranga është vënë shtetasi Elio Bedulla 25 vjeç, banues në Durrës. Bedulla, ishte i shpallur në kërkim pasi në datë 4 qershor 2018 dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit S.N. (pa shkaktuar dëmtime fizike).

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Y.T. (dhënë me qira) lagja nr.14, Shkozet, në 2 dhoma është konstatuar se ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llampave elektrike.

Gjatë operacionit është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesë, që shërbente për furnizimin me energji.

Në cilësinë e provave materiale grupi hetimor ka sekuestruar:221 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa; një sasi e vogël kanabis; 1 armë zjarri pistolete.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit R.G., 33 vjeç, banues në Durrës, si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me shtetasin E.Bedulla, pasi ky shtetas e kishte marrë me qira banesën e shtetasit Y.T.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre shtetasi K.D., 28 vjeç, faturist, OSHEE Durrës, pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit Y.T.

Top Channel