Teatri, Majko nuk votoi! Edhe në 2002-shin i refuzoi Ramës projektin

06/07/2018 15:19

Të enjten në mbrëmje aktroi edhe Pandeli Majko! Ministri i Shtetit për Diasporën shfyrtëzoi një telefonatë për t’u largua nga salla, vetëm pak para se të niste votimi për ligjin, që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ky ishte vetëm epilogu i një diskutimi me ton dhe gjeste mes tij dhe kryeministrit Rama, ku të dy dukeshin mjaft të irrituar. Distanca e tyre nga kamerat e bëri të pamundur të dëgjohej biseda, por sipas deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët qëndrojnë të ulur pranë postacionit të kabinetit të qeveritar, Rama i është drejtuar Majkos me fjalët “Mos më bëj numra, po nuk deshe të votosh, ik në shtëpi”!

Pas kësaj, Majko duket në pamje ndërsa merr celularin, hap një telefonatë dhe del nga salla e Parlamentit, pa marrë pjesë në votim.

Ministri Majko nuk iu përgjigj interesimit të Top Channel për të shpjeguar sa ndodhi në Parlament dhe qëndrimin e tij për Teatrin Kombëtar.

Për të njëjtën godinë, Pandeli Majko ka pasur edhe një tjetër përplasje me Edi Ramën, kur në vitin 2002, atëherë kryebashkiaku Rama kërkonte ta prishte Teatrin.

Në atë kohë, Majko ishte kryeministër i vendit dhe nuk pranoi planin e Ramës, të cilit i ktheu përgjigje përmes këshilltarit Sokol Gjoka.

“Beteja e kryeministrit Majko është të ndërtojmë e jo të shkatërrojmë”.

16 vite më pas, demokratët i kërkuan Pandeli Majkos të tregojë të njëjtën koherencë. Por, thirrjes publike të kreut të opozitës Basha, Majko iu përgjigj me një postim në “Twitter”, ku i pëlqen t’i rikujtojë vetes se ka qenë dy herë kryeministër i vendit.

Përgjigjja e tij, më shumë sesa politike, ishte një koment prej kritiku arti që jep këshilla për kalendarin artistik.

“Për Teatrin Kombëtar pranoj komente vetëm nga ata politikanë që kanë bërë për të ‘një gisht’ më shumë sesa unë! Në vend që të merren me komente, i këshilloj të shohin dramën ‘Vizita e damës plakë’…e 1991-shit. Të tjerat janë fjalë”.

Të enjten e seancës parlamentare, Majko ishte një prej ministrave që qëndroi më gjatë nga të gjithë në sallë, por nuk tha asnjë fjalë për teatrin. I vetmi gjest i tij ishte largimi nga salla, që la pas dyshimin nëse ishte një zbatim i urdhrit të kryeministrit, apo diçka më shumë?

Top Channel