Rreth 550 refugjatë nga Jemeni, duke u përpjekur t’i shpëtojnë luftës civile në vendin e tyre, udhëtuan për në ishullin Xhexhu dhe kërkuan azil nga qeveria e Koresë së Jugut. Si përgjigje, më shumë se 500,000 banorë i bënë peticion presidentit që të largonte refugjatët dhe madje mbajtën një demonstratë në kryeqytet kundër tyre.

Koreja e Jugut ka shfaqur gjithnjë pak tolerancë ndaj të huajve, por përmasat që mori irritimi ndaj një grupi të vogël banorësh të Jemenit tregon se ksenofobia në këtë vend i ka rrënjët shumë të thella. Për gjithë njerëzit në botë, Koreja e Jugut është një ekonomi e fuqishme dhe me demokraci të suksesshme, ku instinktet humanitare nuk mungojnë. Por për këtë egoizëm të shpërndarë gjerësisht kanë faj edhe qeveritarët në vend.

Në vitin 2016, Koreja e Jugut numëronte rreth 2 milionë shtetas të huaj që jetonin në mënyrë të ligjshme, si dhe rreth 210,000 emigrantë të paligjshëm. Të huajt përbëjnë 4% të popullit me 51 milionë banorë.

Që nga viti 1994 e deri më sot, Koreja e Jugut ka pranuar vetëm 2.5% të kërkesave për azil (përveç të arratisurve nga Koreja e Veriut), sipas Human Rights Watch.

Në vitin 2017, azilkërkuesit ishin 0.02% e popullsisë.  Në Gjermani, një nga vendet më të preferuara të azilkërkuesve, kjo shifër arrin 0.24%.

Reagimi ndaj refugjatëve nga Jemeni nuk ishte për t’u habitur. Rreth 10 vite më parë, një studiues indian në Seul ngriti padi kundër një koreano-jugori që e kishte sulmuar atë dhe partneren e tij koerano-jugore me shprehje raciste, të përqendruara te ngjyra e lëkurës.

Incidenti ngjalli shkrime që vinin në dukje armiqësinë ndaj të huajve, sidomos për ata që vinin nga vende më pak të zhvilluara e me ngjyrë. Që atëherë nuk është se kanë ndryshuar shumë gjëra.

Një shembull më i saktë është ai i vitit 2017, kur një bar në Seul refuzoi t’i shërbente një klienti  indian. “Nuk u shërbejmë indianëve, pakistanezëve, mongolëve, arabëve e egjiptianëve. E kemi rregull”, kishte thënë roja te dera.

Sistemi i arsimit ka fajin e vet. Fëmijët janë mësuar prej dhjetëra vitesh që vendi i tyre është një komb i papërzier, me racë të pastër. Këto mite janë përdorur në shkolla për të forcuar bashkimin kombëtar. Kurrikulumi i shkollave ndryshoi vetëm në vitin 2007, me kërkesë të OKB-s.

Ndërkohë që martesat midis racave të ndryshme sa vijnë e po shtohen, sidomos midis burrave koreano-jugorë me gra nga vende të tjera aziatike, qeveria nisi të promovojnë idenë e multikulturalizmit. Por vetë fjala që është përdorur “damunhua”, nënkupton që ideja e promovuar është për të huajt duan të martohen me koreano-jugorët, ndaj nuk është se ndihmon shumë me tolerancën ndaj të huajve që vijnë për të qëndruar në vendin e tyre për një kohë të gjatë.

Ardhja e azilkërkuesve nga Jemeni ndodhi në një klimë të keqe urrejtjeje, pasi gratë në Korenë e Jugut kanë shtuar kërkesat për barazi gjinore. Lobi evangjelist dhe aleatët e tyre në politikë kanë përhapur islamofobi, duke thënë se një ditë edhe Koreja e Jugut mund të bëhet një shtet mysliman. Aleatët e tjerë, të krishterët, kanë qenë aktivë për të luftuar komunitetin LGBT, që nuk është se janë pranuar ndonjëherë, gjithsesi.

Administrata e presidentit Moon Jae-In duhet të marrë detyrën morale e t’i japë fund kësaj çmendurie, por pak shpresa ka të ndodhë. Z.Moon, i cili ka punuar dikur si avokat i të drejtave të njeriut, nuk ngurroi të shprehet kundër homoseksualëve gjatë një debati televiziv, një vit më parë, si dhe shfaqi mungesë simpatie për minoritetet.

Po të kishte besuar vërtet qeveria, do ta kishte nxitur me kohë ligjin kundër diskriminimit, që mbahet pezull që nga viti 2007. Por kjo nismë nuk duket gjëkundi në horizont.

Ishulli Xhexhu është një zonë ku turistë nga vende të shumta të botës mund të futen pa viza. Një zëdhënës i presidentit foli rreth refugjatëve nga Jemeni. Ai tha që më 20 qershor Jemeni i ishte shtuar vendeve të cilat nuk mund të futen pa viza. Më 29 qershor, Ministria e Drejtësisë premtoi se kishte angazhuar më shumë personel për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave për azil, pra, për t’i dëbuar sa më shpejt. Ministria ka kërkuar gjithashtu që të miratohet Ligji i Refugjatëve, që pritet të pengojë shfrytëzimet e mundshme të sistemit ekonomik nga të huajt.

Sigurisht, në Korenë e Jugut nuk janë të gjithë diskriminues. 39% e banorëve, siç tregoi një sondazh, donin t’i pranonin refugjatët nga Jemeni. 49% ishin kundër. Ka pasur edhe zëra të nivelit të lartë që janë treguar të arsyeshëm me këtë çështje.

“Si mund t’u kërkojmë fëmijëve që ta duan këtë botë, nëse diskriminojmë racat e tjera, kombësitë dhe fetë e tjera?”, tha Jung-Woo Sung, një aktor dhe ambasador i OKB-s për paqe, në një forum që u mbajt të mërkurën.

Pyetja më e mirë për koreano-jugorët që nuk duket se kanë keqardhje për të tjerët, është: “Si mund të presim që vendet e tjera të pranojnë refugjatë nga Koreja e Jugut, në rast të një lufte me Korenë e Veriut?”

Se-Woong Koo, New York Times

FOTO GALERI
2/2
Banorët u ngritën në protestë, ndërkohë që një protestë edhe më e madhe u mbajt në kryeqytet, ku qeveria shtrëngoi ligjet për azilantët.

Top Channel