Basha: Indiferenca jonë, forca e Ramës. Të bashkohemi në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

06/07/2018 12:48

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh në një dalje për mediat mesditën e së premtes se “Edi Rama po bën kulla e projekte betoni për të pastruar paratë e drogës”, duke shtuar se “ligji që kaloi dje Kuvendi është antikushtetues dhe shkatërrim i rendit ligjor”.

“Akti i djeshëm është një ligj që ligjëron vjedhjen. I vetmi qëllim është grabitja e tokës në mes të Tiranës për të ndërtuar 6 kulla masive betoni. Nuk ka asnjë lidhje me artin e kulturën. Nuk bëhet për Teatrin. Qëllimi kryesor i projektit është pastrimi dhe qarkullimi i parave të pista të drogës, krimit dhe korrupsionit. Siç ka raportuar OSBE para disa vitesh, vetëm nga korrupsioni i lejeve të ndërtimit Edi Rama ka përfituar mbi 200 milionë euro. Imagjino sa ka fituar këto vite nga trafiku i drogës! Këto para nuk mbahen dot në thasë dhe nuk futen dot të gjitha në bankë”, u shpreh Lulzim Basha.

“Sot, krimi dhe korrupsioni është ligji i këtij vendi. Rama po e kthen Shqipërinë në një lavatriçe pastrimi parash. I bëj thirrje Presidentit që të mos e dekretojë ligjin”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së pati një thirrje edhe për qytetarët: “Forca e vetme që ka Edi Rama është indiferenca dhe mosveprimi ynë. Së bashku, nuk ka njeri që e shemb teatrin”.

Top Channel