Këtë vit “Ariu i Artë” në Berlin u fitua nga një grua rumune. Kjo tregon që kinemaja e Ballkanit ka një zhvillim të madh në shpërndarjen gjinore, gjë që nuk është relevante në kinematë e tjera, madje as në atë amerikane.

Por prodhimi i autoreve femra nuk është i vetmi zhvillim në kinemanë ballkanike. Kinemaja e këtij gadishulli ashtu si artet e tjera po jeton një boom. Arsyeja është paslufta.

“Po ti hedhim një sy festivaleve të kategorisë A në botë sot, nga Berlini, Kana, Venecia, në këto vitet e fundit padyshim rajoni më prodhimtar, më fertil i botës në Kinematografi, cilësore po flasim ka qenë rajoni i Ballkanit, si i tërë”, shprehet Andamion Murataj, producent.

Por është fakt që ne nuk njohim kinemanë e prodhimet e njëri tjetrit. Kinemaja rumune, turke, greke, hungareze, serbe, maqedonase rrallë ka shkëmbime kritikash profesioniste për filmat e tyre. Prandaj gjithmonë e më shumë lind nevoja e tregjeve te filmit, ashtu si Balkan Film Market.

“Në Ballkan Shqipëria ka një pozicion të caktuar strategjik, që nuk është vetëm në kuptimin gjeografik të fjalës, por edhe kulturor. Kinemaja jonë ishte sa e influencuar nga kinemaja e lindje, por edhe më tepër nga perëndimi. Shqipëria duhej të bëhej një nyje e këtij ndërkomunikimi filmik ballkanik”, thotw Murataj.

Ndërkohë që Balkan Film Market është tashmë në edicionin e dytë, sapo janë hapur në fillim korriku thirrjet për të gjithë idetë e skenaristëve, producentëve, autorëve apo organizatorëve të rinj.

“Ne që tani kemi filluar kemi hapur thirrjen e re për projektet e Balkan Market, në workshope, por edhe njerëz që kanë ide për të prezantuar ide të reja organizative. Roli i Shqipërisë në këtë Balkan Market sigurisht që është ai i një vendi si gjithë të tjerët. Por puna është që aty konkurrojnë idetë, nuk konkurrojnë vendet”, shprehet producenti.

Qëllimi primar dhe më i rëndësishëm i këtij tregu është zhvillimi i skenareve.

Top Channel