Ju ka marrë malli për kukullat, por keni nisur pushimet? Këtë verë janë kukullat që do të vijnë pranë jush, aty ku po pushoni. Kësulëkuqja është vetëm një nga personazhet e shumtë që do të udhëtojë në 10 qytete të Shqipërisë për të argëtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit.

Shegushe Bebeti, mjeshtre e kukullave, nuk lodhet të sjellë që prej 13 vitesh një nga personazhet më të dashura për vogelushët: “Kësulëkuqja është shumë e këndshme, lozonjare, i pëlqen të lozë, të shëtisë, të mbledhë lule. E do shumë gjyshen dhe ka ardhur një figurë shumë e këndshme për fëmijët. Ka vite që jepet kjo shfaqje. Është shumë praktike për ambientet jashtë sepse ndriçimi i skenës është bardhë e zi, është me një paradhomë portative, kështu që mund ta japësh në çdo shesh”.

Shfaqjet e kukullave do të mbahen jo vetëm në sheshet e qyteteve bregdetare në Sarandë, Ksamil, Vlorë, Durrës, por edhe në Përmet, Korçë e Gjirokastër, për të kënaqur të gjithë fëmijët gjatë gjithë muajit korrik.

Erion Isai, drejtor i Teatrit të Kukullave, shprehet: “Do të kemi një kalendar prej 10 aktivitetesh në 10 qytete të ndryshme, më së shumti në vende turistike, atje ku prezenca e fëmijëve dhe familjeve rritet gjatë 3 muajve të verës”.

Top Channel