Gjykata Themelore e Shkupit i dënoi me 82 vite burg 7 personat e akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj deputetit Ziadin Sela.

Në vendim theksohet se, të akuzuarit janë fajtorë për shkak se, me vetëdije të plotë janë përpjekur ta vrisnin ligjvënësin shqiptar më 27 prill të vitit 2017, kur kishin hyrë në ambientet e Parlamentit dhe ishin drejtuar te qendra e konferencave të shtypit, ku ndodhej deputeti.

Nikola Vojminovski u dënua me 13 vite e 6 muaj burg; Aleksandar Janevski-Toshta me 13 vite. Pikërisht këta dy persona, sipas verdiktit të gjykatës, e kanë tërhequr Selën nga këndi ku ndodheshin ligjvënësit e tjerë, duke u mundësuar të akuzuarve të tjerë që ta godisnin e t’i shkaktonin dëmtime të forta fizike.

Veprën e rëndon edhe më tepër akti i Vojminovskit dhe Janevskit kundër një funksionari të zgjedhur, i cili në atë kohë ndodhej në vendin e tij të punës. “Ata, me vetëdije hynë në Parlament dhe pa leje e pa kontroll lëvizen brenda këtij institucioni”, theksohet në aktvendimin e gjykatës.

Të akuzuarit e tjerë kanë marrë dënime me nga 11 dhe 10 vite e gjysmë heqjeje lirie. Disa nga të akuzuarit e pritën vendimn e gjykatës me lot në sy. Prokurori i çështjes, Darko Jakimovski propozoi që të dënuarve t’u vazhdohet masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, deri në hyrjen në fuqi të vendimit për vuajtjen e dënimit me burg.

Dhuna, 27 prillin e vitit të kaluar, shpërtheu kur shumica e re parlamentare zgjodhi kryetar të Kuvendit Talat Xhaferin, e një numër i madh protestuesish hynë me forcë në godinë, duke goditur edhe vet Zoran Zaevin, por duke lënduar më së shumti Ziadin Selën.

Top Channel