Shira të rrëmbyeshëm në Greqi, përmbytje të mëdha në Athinë

28/06/2018 12:27

Reshje të shumta shiu kanë mbuluar gjatë orëve të fundit, kryeqytetin helen.

Reshjet që janë ndër më të lartat të shënuara ndonjëherë, deri tani kanë krijuar probleme të mëdha në zonën lindore të kryeqytetit Athinë, ndërsa çdo çast që kalon probleme po hasen në gjithë kryeqytetin grek.

Deri tani janë raportuar disa dhjetëra godina të përmbytura, ndërsa me kalimin e orëve situata po përkeqësohet.

Duket se reshjet kanë gjetur të papërgatitur mekanizmin shtetëror, ndërsa prefektura e Athinës, e cila duhet edhe të kryente veprat e parandalimit të përmbytjeve, nuk ka përfunduar asnjë prej kantiereve të ngritura për të parandaluar këtë situatë.

Në zonë ndodhen forcat zjarrfikëse, kurse mbrojtja civile paralajmëroi banorët të mos lëvizin në zonë nëse nuk kanë një arsye të rëndësishme për ta bërë këtë.

Ujërat e shumta bllokuan aksin që lidh Athinën me Korinthin në Zonën e Elfesinës, pikërisht në vendin ku më pak se një vit më parë u shënuan më shumë se 20 të vdekur nga përmbytjet.

Top Channel