Autoritetet kineze thanë se do t’u vendosin kapak pagave të aktorëve, si pjesë e strategjisë për të reduktuar evazionin fiskal dhe adhurimin e parave në këtë industri.

Sipas lajmërimit, aktorët e filmave kinezë dhe programeve televizive nuk do të paguhen më shumë se 40% e kostove totale të produksionit. Ndërkohë, protagonistët nuk mund të paguhen më shumë se 70% e totalit të pagave të trupës së aktorëve për një produksion.

Ndërhyrja e qeverisë kineze vjen pas debateve të shumta për pagat e aktorëve, si dhe akuzave për evazion fiskal në këtë industri.

Lajmërimi i përbashkët i 5 agjencive shtetërore kineze, mes të cilave Departamenti i Propagandës dhe Ministria e Kulturës, nuk specifikon pse po merren këto masa, por thotë se autoritetet duhet të përballen me pagat astronomike të aktorëve, kontratat e fshehta, evazionin fiskal dhe çështje të tjera.

Sipas komunikatës, këto probleme kanë dëmtuar shëndetin e kinemasë dhe televizionit, kanë shtrembëruar vlerat shoqërore, kanë sjellë adhurimin e parave dhe ndjekjen e verbër të njerëzve të famshëm nga rinia.

Sipas shtetit, kompanitë kinematografike duhet të kenë prioritet përfitimet për shoqërinë dhe jo thjesht shitjet e biletave. Filmat kinezë nuk kanë ende shtrirjen ndërkombëtare të atyre të “Hollywood”-it, por ekspertët thonë se shumë shpejt Kina do të jetë tregu më i madh i filmave në botë, prandaj kompanitë nga “Hollywood”-i po përshtatin përmbatjen e tyre për të tërhequr publikun kinez, e që tani janë verifikuar mjaft bashkëpunime.

Top Channel