Muzeu Etnografik i Elbasanit, shtëpia dyshekullore që tërheq turistët

27/06/2018 20:13

Muzeu Etnografik i Elbasanit, për nga lloji, kultura dhe origjinaliteti i tij është një nga më të rrallët në vend. Aty pasqyrohet jeta e një familjeje qytetare elbasanase të shekullit XVIII, në një shtëpi karakteristike të ndërtuar me çardak, e cila edhe për nga arkitektura është një ndërtesë e veçantë.

Ajo që të bie në sy është origjinaliteti i çdo detaji, duke nisur nga pjesa kryesore e një shtëpie elbasanase: oda e burrave.

Dhoma e grave ndryshon dukshëm nga ajo e burrave. Aty nuk mund të mungonte as djepi, i cili po ashtu është i punuar me mjeshtëri.

“Objektet që bart janë të gjitha origjinale, nuk ka asnjë kopje. Fakt që jo vetëm vizitorët vendas, por edhe ata të huaj e vlerësojnë së tepërmi”, shprehet Kreshnik Belegu, drejtor i Muzeut Etnografik Elbasan.

“Unë jam nga Holanda. Kjo është një ndërtesë shumë e bukur, e vjetër. Më pëlqeu sidomos dhoma e vajzave dhe punimet e dorës, por do të më pëlqente që shpjegimet e vendosura në mure të ishim pak më të gjata, që ne të kuptonim më shumë rreth asaj që paraqitet”, thotë një turiste holandeze.

Pëlhurat që punoheshin në Elbasan ishin ndër ato më në zë në të gjithë Rumelinë. Ato punoheshin në dhoma të tilla, e padyshim ishin punime tezgjahu.

E me gjithë këto pasuri, vizitorët në Muzeun Etnografik të Elbasanit nuk janë të shumtë, e kjo e ka një shkak.

“Agjencitë turistike duket se kënaqen me marrjen e eurove të turistëve, por numri i tyre është tkurrur. Turistët paguajnë nga 1.000 lekë për çdo vizitë. U bëj thirrje të gjitha agjencive turistike që Elbasanin të mos e kalojnë tranzit”, deklaroi Kreshnik Belegu.

Top Channel