Tatimet kërcënojnë me mbyllje: Biznese të paregjistruara, pa kupona

25/06/2018 19:35

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero paralajmëroi bizneset e turizmit që fshehin taksat se do të përballen me masa të ashpra ligjore, deri në mbyllje të aktivitetit.

“Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga Administrata Tatimore në funksion të zbatimit të legjislacionit tatimor ndaj të gjithë këtyre bizneseve, deri në mbyllje të aktiviteteve të tyre me rreth 30 ditë. Kjo gjë do të dëmtonte realisht aktivitetin e tyre, sidomos në këtë periudhë të shkurtër të sezonit turistik”, shprehet Vasilika Vjero.

Prej disa ditësh, Tatimet kanë nisur një fushatë të gjerë kontrolli mbi bizneset e lidhura me turizmin, si hotelet, restorantet apo njësitë e tjera të shërbimeve.

“Ne vëmë re se, vijon të ketë ende tatimpagues që janë të paregjistruar, pra zhvillojnë një aktivitet të paregjistruar, apo që ende nuk e kanë riaktivizuar aktivitetin e tyre; nuk lëshojnë kupon tatimor për transaksionet që ata kryejnë, nuk disponojnë fatura për produktet që ata tregtojnë dhe nuk regjistrojnë të punësuarit e tyre”, deklaron më tej Vjero.

Ndërsa për bizneset që kanë vetëkorrigjuar me rritje deklarimet tatimore, Administrata do të ketë një sjellje më të zbutur.

“Për të gjitha këto sipërmarrje, të cilat kanë reaguar pozitivisht dhe që tregojnë një përgjegjshmëri në ushtrimin e aktivitetit të tyre, Administrata Tatimore do të vijojë që të ketë një qasje pozitive duke reduktuar kontrollet tatimore gjatë të gjithë sezonit turistik, për sa kohë këta tatimpagues do të vijojnë që të vetëdeklarojnë në mënyrë të rregullt dhe të paguajnë rregullisht detyrimet tatimore”, theksoi më tej drejtoresha e Tatimeve.

Sipas analizës së riskut te Tatimet, turizmi rezulton një nga sektorët me informalitetin më të lartë në vend.

Top Channel