Lekun e forcoi narko-euro?! BSH nis të blejë sërish euro në treg

25/06/2018 15:08

Banka e Shqipërisë ndërhyri sërish këtë të hënë në treg duke blerë euro për të mos lejuar dobësimin e monedhës europiane ndaj lekut. Shuma e blerë është konfidenciale, por ndërhyrja e radhës nga Banka e Shqipërisë përkon një ditë pasi në portin e Durrësit u gjetën dy Toyota Auris, të cilat po hynin në Shqipëri me 3.4 milionë euro në bagazhet e tyre.

Top Channel ka mësuar se që nga momenti kur u detyra për të ndërhyrë në treg, Banka e shqipërisë ka blerë disa herë euro, sic konfirmohet nga transaksionet e publikuara nga agjencia Reuters.

Burime nga bankat private thonë për Top Channel se Banka e Shqipërisë po luan rolin e sterilizuesit duke blerë euro sa herë që në treg ka rritje të ofertës së kësaj monedhe apo shenja për dobësimin e saj.

Por ndonëse në ditët e para, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë e forcuan euron me gati 4 lekë, dy javët e fundit monedha europiane ka rënë sërish. Këtë të hënë një euro është këmbyer mesatarisht me 125.9 lekë nga 128.3 lekë që këmbehej dy javë më parë.

Por çfarë po e rrëzon euron? Agjencitë e këmbimit valutor bankat private thonë se në treg ka tepricë euro. Deri para se të ndërhynte në treg, Banka e Shqipërisë ka mbajtur qëndrimin se zhvlerësimi i euros ndaj lekut ishte rezultat i fuqizimit të ekonomisë shqiptare. Por më pas e ndryshoi këtë qëndrim duke deklaruar se veç përmirësimit të ekonomisë kursi është ndikuar dhe nga faktorë të tjerë të përkohshëm, kryesisht psikologjik.

Por ndryshe nga ky qëndrim i BSH, opozita, por edhe shumë ekspertë të pavarur, thonë se shkaku kryesor i rënies së euros në treg janë paratë e drogës.

Ndalimi i dy makinave në Durrës të mbushura plot me euro, i forcon më shumë këto dyshime. Ndoshta Banka e Shqipërisë nuk po lufton vetëm kundër faktorëve psikologjik ashtu si deklaron zyrtarisht, por edhe ndaj vërshimit të narko-eurove, parave të pista që burojnë nga trafiku i drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale.

Top Channel