Nisin sot ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Botërorit të Rusisë. Në fushë do të zbresin skuadrat e grupeve A dhe B dhe gjithcka do të nisë me sfidat Uruguaj-Rusi e Arabia Saudite-Egjipt.

Ajo mes Uruguajit dhe skuadrës së vendit organizator të Botërorit do të jetë sfida për vendin e parë në grup. Rusia në këtë ndeshje luan për fitore por edhe barazimi do t’i mjaftojë pasi ka golavarazh më të mirë.

Ndërsa skuadra amerikane latine ka si opsion të vetëm fitoren për të qenë fituese e Grupit A. Sfida mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit nuk ka ndonjë rëndësi të madhe dhe të dyja skuadrat do të luftojnë për të mos e mbyllur këtë fazë në vendin e fundit.

Në Grupin B, sfida që merr më shumë rëndësi është ajo mes Iranit dhe Portugalisë, pasi të dyja skuadrat e kërkojnë kualifikimin për në raundin tjetër.

Luzitanët janë në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Irani ka 3 pikë. Portugalia ka në dispozicion 2 rezultate për të siguruar kualifikimin, ndërsa Iranit i duhet të fitojë me cdo kusht për të bërë historinë e të shkruajë emrin mes 16 më të mirave të Kupës së Botës për herë të parë.

Irani mund të kualifikohet edhe nëse barazon, por në këtë rast duhet të shpresojë në humbjen e Spanjës me 2 gola diferencë ndaj Marokut. Ky skenar i fundit duket shumë i vështirë të realizohet duke qenë se Maroku në 14 ndeshje të luajtura në Botërorë ka fituar vetëm 2. Për më tepër, Spanja është në kuotën e 4 pikëve dhe i mjafton edhe 1 barazim në sfidën me Marokun për të siguruar kualifikimin në 1/8 e finaleve

Top Channel