Vlora duket se është shqetësim jo vetëm për ngjarjet me lëndë plasëse që kryhen me telekomandim. Së fundmi hetuesit kanë vendosur nën hetim disa persona që dyshohet se montojnë lëndë plasëse në telefon, duke i shitur tek persona të tjerë.

Çmimi i një pakoje të tillë që përfshin tritol dhe telefon të montuar, varion nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro thanë hetuesit. Gjatë operacionit që është ende në zhvillim e sipër, u arrestua në flagrancë edhe Eduart Sinanaj.

40-vjeçari me precedentë të mëparshëm kriminalë, është nga qyteti i Vlorës dhe me banim në Tiranë. Sipas një burimi të Prokurorisë, ai u kap në flagrancë në hyrje të qytetit të Lezhës, pas një vëzhgimi të gjatë policor. Siç bëhet me dije, Sinanaj po drejtonte mjetin Peugeot, ndërkohë që agjentët e krimeve ishin të bindur se në mjet kishte lëndë plasëse.

Gjatë kontrollit atij iu gjetën 6 mina të montuara së bashku me aparate telefoni të paaktivizuar. Bëhet me dije se Sinanaj kishte vetëm rolin e transportuesit të lëndës plasëse, ndërkohë që ajo do të blihej nga persona të tjerë dhe do të dorëzohej në qytetin e Shkodrës.

Informacioni është mjaft i rezervuar mbi bashkëpunëtorët e tranportuesit, përsa kohë çështja është ende nën hetim. Por i pyetur nga hetuesit, 40-vjeçari ka mohuar të kishte dijeni për ngarkesën me eksploziv.

Ai ju ka dhënë një version të pabesueshëm prokurorëve, duke treguar se kishte udhëtuar së bashku me një pasagjer të panjohur, i cili kishte harruar pakot e fshehura në brendësi të një gome.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel