Romët dhe egjiptianët historikisht kanë bashkëjetuar me pjesë tjetër të popullsisë në Shqipëri, por shumë pak dihet për kulturën, gjuhën, identitetin, origjinën dhe traditat e kësaj pjese të popullsisë.

Për herë të parë Departamenti i Gjuhësisë në Universitetin e Elbasanit ka ndërmarrë një iniciativë të guximshme, duke organizuar një konferencë shkencore ndërkombëtare për hulumtime rreth këtyre minoriteteve.

“Edhe qëllim shkencor, por edhe qëllim njerëzor, etik dhe moral, duke e konsideruar pikërisht këtë vizion të Universitetit, si një qendër të kërkimit shkencor dhe si një qendër të integrimit njerëzor, një qendër që i shërben komunitetit”, deklaroi Teuta Toska, pedagoge e universitetit “Aleksandër Xhuvani.

Mos njohja e gjuhës dhe kulturës së këtij komuniteti nuk është vetëm realitet shqiptar, por gjithëballkanas. Kjo konferencë pritet të hedhë hapat e parë në një hulumtim të gjerë shkencor.

Organizime të tilla janë të rëndësishme edhe për vetë komunitetin i cili mbi të gjithë vlerëson njohjen nga qeveria shqiptare si pakicë kombëtare me të drejtat që kjo njohje sjell.

Universiteti Aleksandër Xhuvani i Elbasanit prej disa vitesh tashmë ka bërë pjesë të kurrikulës së tij Gjuhën Rome, e cila së bashku me Gjuhën Shqipe studiohet si degë e veçantë në këtë universitet.

Top Channel