Anglia iu kundërpërgjigj menjëherë fitores së djeshme të Belgjikës, duke shkatërruar bindshëm Panamanë dhe duke siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8-ave.

Skuadra e Southgate gjeti golin e avantazhit që në minutën e shtatë, me atë të qendërmbrojtësit të Manchester Cityt, John Stones.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e thellë 5-0, ndërsa kapiteni Harry kane shënoi dy herë me 11-metërsh, fillimisht në minutën e 22-të dhe më pas në të 46-ën.

Mes dy penalltive të kapitenit, ishte Lingard që shënoi një supergol dhe Stones që kompletoi dopietën personale, përkatësisht në minutat e 36 dhe 40.

Harry Kane mori i vetëm kryesimin e listës së golshënuesve, pasi shënoi edhe golin e tretë personal për sot, dhe të pestin në total pas dy takimesh, në minutën e 62 të takimit.

Nga ana tjetër, Panamaja u zgjua në minutat e fundit dhe gjeti golin e parë në pjesëmarrjen e saj të parë në një kampionat botëror, në minutën e 78 me anë të Baloy.

Tani Anglia dhe Belgjika kalojnë në fazën e 1/8-ave, ndërsa në ndeshjen e tretë në grup, do të përcaktojnë se kush do të kualifikohet si e para e grupit.

Top Channel