Rrufetë zbardhin Tiranën; Sinoptikanët: Moti me reshje, gjithë qershorin

23/06/2018 15:08

Qytetarët e Tiranës kanë kaluar një natë deri diku të frikshme për shkak të një spektakli shkarkesash të mëdha elektrike që kanë ndodhur pas mesnate.

“Është afruar një masë ajrore me karakteristika krejt të ndryshme me atë çfarë kemi pasur gjatë gjithë kësaj periudhe në territorin shqiptar. Kjo solli edhe shkarkimet e mëdha elektrike pas mesnate, në territorin shqiptar”, u shpreh meteorologia Tanja Porja.

Shkarkesat elektrike nuk kanë kaluar pa pasoja. Në Tiranë ato kanë dëmtuar një kabinë elektrike në kombinat duke bërë që të ndërpritet energjia elektrike.

Ndërsa në qytetin e Lezhës ato kanë krijuar terren të përshtatshëm për hajdutët. Duke përfituar nga mungesa e energjisë hajdutët kanë hyrë në dy pika të këmbimit valutor.

Por në këto kushte të motit duket se Shqipëria është prekur nga ndryshimet klimaterike. Pas mesditës së të premtes u regjistrua një minivjeshtë në qershor pasi zona qendrore u prek nga një ministuhi tropikale, me erë të fortë dhe rrebeshe shiu e breshëri çka bëri që për 60 minuta ra sasia e shiut që në Tirane bie në një muaj.

“Aktiviteti termodinamik i atmosferës ishte shumë i fuqishëm, i cili u shoqërua me stuhi shiu e breshëri dhe një rënie të theksuar të vlerave termike me 10.2 gradë në një interval 60 minutash”. u shpreh meteorologia Tanja Porja.

Por deri në fund të muajit qershor parashikohet të ketë shira dhe temperatura të freskëta.

“Parashikohet që temperaturat të vijojnë nga 27-29 gradë nuk presim më temperatura mbi 32 gradë celsius deri në fund të muajit. Sa i përket vranësirave dhe shirave, ato mbeten prezente kryesisht në zonat qendrore dhe juglindore. Nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit. Megjithatë shirat janë të përkohshëm në të gjithë territoren e vendit#”, tha meteorologia Tanja Porja.

Top Channel