Kampe refugjatësh, Tajani: I përfytyroj në Shqipëri ose Maqedoninë e Veriut

23/06/2018 13:54

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani deklaron se bllokut i nevojiten kampe refugjatësh jashtë kufijve të tij dhe shton se qendra të tilla i përfytyron në Shqipëri apo Maqedoninë Veriore.

Stabiliteti i Europës, sipas zyrtarit të lartë, varet nga Gjermania. Situata është e tillë që tani po diskutohet vetë qëndrueshmëria e bllokut.

Mënyra e veprimit me çështjen e emigracionit nuk duhet të çojë në shpërbërjen e BE-së, paralajmëron Tajani. Nëse çdo shtet, thotë ai, do të veprojë sipas interesave të veta, unioni rrezikon shembjen u kujtoi partive gjermane në grindje të fortë për çështjen e azilit, se emigracioni “nuk është një problem i tyre i brendshëm”.

Nën presion të madh janë aktualisht edhe Italia e Greqia, e kjo po bën që mundësia e ngritjes së qendrave jashtë BE-së, të lakohet përherë e më shumë. Por sinjalet që mbërrijnë nga Brukseli janë deri diku kontradiktore.

Në një prononcim për rrjetin investigativ BIRN, Këshilli Evropian e mohoi të ketë plane konkrete për ngritjen e qendrave të azilit në Shqipëri. Përgjigja e tij ishte se rajonet që do t’i shërbejnë këtij synimi nuk janë identifikuar ende dhe se aktualisht, po diskutohet thjesht mundësia e eksplorimit të konceptit.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë në Vjenë Peter Launsky-Tieffenthal e konfirmoi për DVV-në, se ndërkohë ka bisedime për krijimin e një qendre të tillë ndër të tjera edhe me Shqipërinë. Arsyeja pse është menduar Shqipëria, gjendet tek fakti që porti i Durrësit konsiderohet se zotëron kapacitete të mjaftueshme për zbarkimin e kontigjenteve të mëdha të refugjatëve. Këshilli Evropian mblidhet në 28 qershor për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë rekomandimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por duket se kriza e emigrantëve ka për t’u shndërruar në subjekt kryesor.

Top Channel