Tarifat e Trump, Turqia tarifon importet amerikane

21/06/2018 14:05

Turqia u bë vendi më i fundit që godet Shtetet e Bashkuara me tarifa, në kundërpërgjigje të rritjes së taksës mbi eksportet e çelikut dhe aluminit.

Ministria turke e Ekonomisë njoftoi do të vendosë tarifa të reja me vlerë 267 milionë dollarë mbi mallrat amerikane, duke përfshirë në “listën e saj të zezë” edhe qymyrin, duhanin, orizin dhe arrat.

Kjo, sipas zyrtarëve turq është rrjedhojë e dështimit të negociatave me Uashingtonin.

“Ne jemi të angazhuar për marrëdhënie tregtare aktive, dinamike dhe reciproke me SHBA-të, por ndershmëria dhe drejtësia nuk mund të jenë të njëanshme”, deklaroi kreu i kësaj ministrie, Nihat Zeybekci, duke shtuar se vendi nuk mund t’ia lejojë vetes që të fajësohet pa të drejtë për sfidat ekonomike të Amerikës.

Të premten, Shtetet e Bashkuara do të ndiejnë edhe peshën e tarifave europiane mbi produktet e tyre.

Komisioni Europian njoftoi se ka aprovuar taksa ndëshkuese mbi eksportet amerikane me vlerë 3.2 miliardë dollarë. Në shënjestër do të jenë motoçikletat, lëngu i portokallit, uiski, gjalpi i kikirikut, varkat me motorë, cigaret dhe xhinset.

“Nuk deshëm të gjendeshim në këtë pozicion, por vendimi i njëanshëm dhe i pajustifikuar i Shteteve të Bashkuara nuk i la Bashkimit Europian asnjë zgjidhje tjetër”, deklaroi Komisionerja e Tregtisë, Cecilia Malmström. BE-ja ka paraqitur gjithashtu një ankesë pranë Organizatës Botërore të Tregtisë.

Top Channel