Protesta e skafistëve: Dëmtohet turizmi; Ministria e Brendshme fajëson bashkitë

21/06/2018 15:16

Çdo turist, që dëshiron të bëjë xhiro me një mjet lundrimi, duhet të jetë i pajisur me leje të posaçme drejtimi. Por, ky udhëzim i ditëve të fundit i Policisë Kufitare ka bërë që pronarët e mjeteve lundruese për qëllime turistike të dalin në protestë.

Një ditë më parë, për vonesat me lejet e lundrimit protestuan edhe pronarët e gomoneve dhe motorëve të ujit në Vlorë.

“Te certifikatat e lundrimit kërkohet nga një person që merr me qira një motor uji të ketë leje drejtimi, gjë që është e pamundur, si për turistët vendas edhe të huaj”, thotë një prej protestuesve.

“Pronarët e mjeteve kanë vendosur ta çojnë këtë pikë në gjykatë, pasi bie ndesh me vet VKM-në”, thotë një tjetër protestues.

Por forcimi i masave, sipas drejtoreshës së Kufirit, Aida Hajnaj, po bëhet me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, si ato të vjetshmet, ku nuk munguan as viktimat që u godinën nga motorët e ujit apo skafet.

Policia ka ankesa edhe për bashkitë që administrojnë vijë bregdetare, pasi nuk kanë përmbushur detyrimet sa i takon sigurisë në plazhe.

“Aktualisht jemi para faktit që masat nuk janë marrë siç duhet. U kemi bërë të ditur situatën në mënyrë që t’i jepet zgjidhje brenda qershorit. Pothuajse të gjitha bashkitë janë aty-aty, sidomos me vendbazimet e mjeteve lundruese, nuk ka asnjë masë të marrë”, u shpreh Aida Hajnaj, zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Top Channel