Konviktet e reja me parimin e efiçencës së energjisë

21/06/2018 12:31

Konviktet e Qytetit Studenti nr.2 tashmë janë të rinovuar dhe sipas parimit të efiçencës së energjisë. Ndërkohë dy prej tyre do të përfundojnë brenda këtij viti.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në përurimin e tyre, me financim të bankës gjermane KfVV, me një shumë prej 6.8 milionë euro.

Projekti ka si qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së rreth 1000 studentëve që jetojnë në këto konvikte nëpërmjet rinovimit të godinave përmes një sistemi të përmirësuar ngrohjeje dhe izolimi si edhe rinovimit nga e para të strukturës së brendshme të godinave duke siguruar kështu kushte më të rehatshme për studentët.

“Jam i bindur se ne shumë shpejt do të vazhdojmë dhe me fazën e dytë të këtij programi kaq të rëndësishëm për eficiencën në energji që është ndërhyrja në Qytetin Studenti numër 1. Është një ndërhyrje më e madhe e cila shkon gati 10 milionë euro, pra krahas 6 milion eurove të investuara këtu, gjë që do të përbëjë stokun më të madh të investimit në fushën e eficiencës së energjisë. Realisht është një model shumë i mirë. Qeveria shqiptare i ka dedikuar një vëmendje të veçantë eficiencës së energjisë duke e konsideruar atë një burim shumë të rëndësishëm energjie sepse vetëkursimi përbën burim”, u shpreh Gjiknuri.

Top Channel