Debat në pritje të Gjermanisë. Basha: U vendos kundër; Balla: Merkel do të thotë “Po”

21/06/2018 15:02

Pauza dyjavëshe e Parlamentit nuk solli asnjë ndryshim në skenar. Demokratët përsëri bllokuan foltoren, duke mos lejuar tjetërkënd përveç kryetarit të tyre.

Mes ndërprerjeve të seancës, Lulzim Basha tha se i kishin ardhur lajme të këqija nga Gjermania përsa i përket negociatave, për të cilat nguli këmbë se është në dijeni edhe Kryeministri.

“Është verdikti gjerman se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat, se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Shqipërisë nuk i vendosen vetëm kushte, por edhe një proces kontrolli që tregon pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama”, tha Basha.

Edi Rama ishte në sallë gjatë të gjithë kohës, por bëri spektatorin. Përgjigjen në emër të mazhorancës ia numri dy i PS-së, Taulant Balla: “E vërteta e madhe është se Gjermania po e ndjek me vëmendje këtë proces, ka të njëjtin pozicion sikurse ka mbajtur edhe me Malin e Zi. CDU dhe Bundestagu gjerman mbështesin tërësisht hapjen e negociatave. Të jeni të sigurtë se qeveria gjermane është promotorja e një mbështetjeje të madhe të Shqipërisë në samitin e 28 qershorit. Ti Lulzim u mundove të bëje gjithçka kundër hapjes së negociatave”.

Për herë të parë, lideri i opozitës foli edhe për çështjen e refugjatëve sirianë, duke akuzuar Ramën se po e përdor atë si pazar me Europën: “Lutet që Shqipëria të bëhet kazani i plehrave i botës. Armët kimike, mbetjet, muxhahedinët dhe tani është vetofruar për 600 mijë sirianë. E bën me shpresën se do i harrojnë drogën dhe krimin”.

Edhe për këtë çështje mazhoranca mohoi, duke akuzuar opozitën se po shpif për të përhapur panik. Gjatë një bisedimi jashtë me gazetarët, Taulant Balla theksoi se Shqipëria do të japë kontributin e saj proporcional në bashkëpunim me partnerët europianë.

“Nuk ka plan dhe nuk ka negociatë. Shqipëria do të mbajë përgjegjësi për aq sa ka këllqet e veta për të adresuar këtë çështje. Është mashtrim për të keqinformuar opinionin publik”, tha Balla.

Edhe në këtë seancë disa prej institucioneve e patën të pamundur të paraqisnin raportet e tyre vjetore, ndërsa kryeparlamentari Ruçi kaloi në votim të rendit të ditës.

Top Channel