Më 5 qershor të këtij viti, pak ditë përpara nisjes së Botërorit, Rusia preku fundin. Barazimi 1-1 në ndeshjen me Turqinë, që e zbriti këtë skuadër në vendin e 70 të klasifikimit të FIFA-s, pozicioni më i ulët ndër 32 skuadrat pjesëmarrëse, si dhe 7 ndeshje pa fituar, po e çonin përfaqësuesen ruse drejt barazimit të rekordit më negativ të saj.

Pesimizmi rreth Rusisë u rrit edhe më shumë pas dëmtimeve të Kokorin, Dzhikiya, Vasin dhe Kambolov.

“Nuk jam psikolog që të qetësoj njerëzit, por askush nuk duhet të shqetësohet”, kishte deklaruar Cherchesov.

Por tensioni ishte në rritje për Rusinë, që në Kupën e Konfederatave nuk arriti të kalojë as fazën e grupeve. Pavarësisht gjithçkaje, Cherchesov kërkoi mbështetjen për skuadrën e tij, duke shtuar se tifozët duhet të presin përpara se të arrijnë në konkluzione.

E koha i dha të drejtë trajnerit të Rusisë. Fitoret ndaj Arabisë Saudite 5-0 dhe Egjiptit 3-1 e kanë bërë Rusinë skuadrën më të mirë organizatore për sa u përket dy ndeshjeve të para të një edicioni të Kupës së Botës.

Rusia, në 180 minuta lojë ka shënuar më shumë gola, 8 të tilla, sesa në 7 ndeshjet e mëparshme 6. Është i njëjti numër golash që i shërbyen Spanjës për t’u shpallur kampione e botës në Afrikën e Jugut, në vitin 2010.

Top Channel