Ankohej për kuzhinierët, gruaja e Netanyahut akuzohet për mashtrim

21/06/2018 14:17

Ndaj bashkëshortes së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Sara, janë ngritur akuza për mashtrim në lidhje me shpërdorimin e pretenduar të fondeve shtetërore.

Ministria e Drejtësisë tha përmes një deklarate se zonja Netanyahu akuzohet për shpërdorim të fondeve publike duke urdhëruar qindra vakte ngrënieje në rezidencën zyrtare të kryeministrit, me një vlerë prej 100 mijë dollarë, teksa gënjente se nuk kishte kuzhinierë në staf.

Një ish-zv.drejtor i rezidencës së kryeministrit është akuzuar gjithashtu në të njëjtën çështje.

Sara Netanyahu është përballur prej kohësh me akuza për sjellje abuzive teksa bënte një jetë ekstravagante, shumë larg asaj të publikut të gjerë. Edhe vet kryeministri përballet me disa hetime policore mbi pretendime për korrupsion.

Në njërin rast, Benjamin dhe pjesëtarë të familjes së tij dyshohet të kenë marrë 285 mijë dollarë dhurata, ku përfshihen cigare luksoze, shampanjë dhe stoli argjendarie nga personalitete të famshme dhe të pasura, në këmbim të favoreve financiare apo personale.

Në një tjetër rast, hetuesit dyshojnë se kryeministri është përpjekur të arrijë një marrëveshje me pronarin e “Yediot Aharonot”, një nga gazetat më të famshme izraelite, për më shumë mbulim mediatik në favorin e tij.

Netanyahu mohon të ketë shkelur ndonjë ligj, duke i konsideruar akuzat ndaj tij dhe bashkëshortes së tij si një “gjueti shtrigash mediatike”.

Top Channel