Ledri Vula është një ndër artistët që ka qenë pjesë e klasifikimit të “The Top List” që prej krijimit të tij. Një reper që nuk ndalet së publikuari projekte të reja muzikore dhe që çdo projekt muzikor shndërrohet menjëherë në një hit muzikor.

Nëse do të kthehemi pas në kohë do të kujtojmë që në janar të vitit 2016, Ledri ka mundur të mbaje kreun e klasifikimit për 4 javë me projektin e tij muzikor “SRMN”. E preferuar shumë nga publiku shqiptar, kjo këngë u shndërrua në këngën më të dëgjuar nëpër makina në atë kohë.

“King” ka qënë një tjetër projekt muzikor i Ledrit, i cili gjithashtu ka kryesuar listën zyrtare të “Top Awards”. E publikuar në prillin e vitin 2016, Ledri Vula performoi këtë projekt muzikor për të gjithë fansat e tij në natën e ndarjes së çmimeve “Top Music Awards”, ku u vlerësua edhe me dy çmime.

Bashkëpunimi me Mc Kresha dhe Lyrical Son për projektin muzikor “Hip Hop” bëri që Ledri Vula të rikthehej sërish në vendin e parë të listës. Kjo këngë, e cila gjithashtu u performua nga tre artistët “live” në “Top Music Awards”, ka qëndruar në krye të listës për dy javë në 19 qershor dhe 3 korrik të vitit 2016.

Ndërkohë që projektet “solo” të Ledrit preferohen shumë, bashkëpunimet me artistët e tjerë shqiptarë, sigurisht që e kanë sjellë Ledrin mjaft mirë në tregun muzikor. Një tjetër bashkëpunim, me të cilin Ledri goditi në shenjë ka qënë “Beautiful” me Flori Mumajesin. E publikuar në korrikun e vitit 2016-të, bashkëpunimi i dyshes së talentuar, u shndërrua në hitin e asaj vere. Falë këtij projekti muzikor, Flori dhe Ledri kanë mbajtur kreun e klasifikimit për dy javë rresht.

Maji i vitit 2017, përveç projekteve të tjera muzikore, e solli Ledrin ritmik me projektin muzikor, “U harrum”. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë theu rekord, duke zënë menjëherë vendin e parë të listës, e cila në atë kohë përbëhej nga 50 këngë.

Ndërkohë që kishte kaluar thuajse një vit që Ledri nuk mbante fronin në “The Top List”, kjo javë e ka rikthyer sërish artistin në qendër të vëmendjes. Bashkëpunimi i tij më i ri muzikor me Butën, i cili është i dyti për dy artistët, ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar brenda një periudhe shumë të shkurtër. “Merri Merri”, e cila ka 5 javë që është bërë pjesë e “The Top List”, për këtë javë mban vendin e parë, duke treguar që fansat e dyshes nuk ndalen së votuari dhe dëgjuari këtë projekt muzikor.

Top Channel