Parlamenti britanik miraton projekt-ligjin e Brexit

20/06/2018 23:41

Dhoma e lartë e parlamentit të Britanisë ka miratuar projekt-ligjin për Brexit, të propozuar prej kohësh nga kryeministrja Theresa May.

Me këtë vendim, i është dhënë fund debatit që zgjaste prej muajsh, në lidhje me legjislacionin që do të përfundojë zyrtarisht procesin e nxjerrjes së vendit nga Bashkimi Europian.

Lordët miratuan kështu planin e qeverisë, pasi ata që kërkonin më shumë kompetenca dhe përfshirje të parlamentit në këtë proces, humbën edhe në votimin në dhomën e ulët, paraditen e të mërkurës.

Projek-ligji Brexit do të kthehet në ligj javët e ardhshme, pasi të marrë edhe “miratimin Mbretëror”, që është vetëm një formalitet dhe nuk pritet të hapë debate të mëtejshme.

Vetë kryeministrja Theresa May kishte bërë thirrje dy ditë më parë, që parlamenti të miratonte projekt-ligjin dhe të respektonte vullnetin e popullit për t’u shkëputur nga BE-ja.

Top Channel