Kuvendi i Maqedonisë pritet të votojë këtë të mërkurë projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes së emrit të ri të vendit, që u nënshkrua këtë fundjavë në Prespë mes Shkupit dhe Athinës.

Në seancën e parashikuar të zhvillohet këtë paradite do të ketë një votim me shumicë të thjeshtë.

Ligjvënësit e partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, e bojkotuan një ditë më parë debatin në Parlament, ku nevoja për miratimin e ligjit mori “dritën jeshile” përmes një procedure të shkurtuar.

Pas këtij zhvillimi, shefi i diplomacisë maqedonase Nikola Dimitrov u shpreh se marrëveshja është jetike për të ardhmen europiane të Maqedonisë dhe se kjo varet nga ratifikimi i saj. Ai shtoi nga ana tjeter se, Athina tani ka detyrimin ta njoftojë kreun e Këshillit të Europës, Donald Tusk, se e përkrah fillimin e negociatave me BE-në, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se e përkrah përfshirjen e vendit në aleancën ushtarake.

Emri i Republikës së Maqedonisë do të ndryshojë në “Republika e Maqedonisë Veriore”. Kjo ka nxitur pakënaqësi, si në Athinë edhe në Shkup, tek opozita e të dy vendeve dhe ka bërë që qindra protestues të dalin rrugëve për ta kundërshtuar atë.

Megjithatë, mjaft analistë mendojnë se Shkupi ka bërë një kompromis të mirë, duke ruajtur identitetin dhe gjuhën e popullit maqedonas, ndërsa pritet shumë shpejt t’i hapen dhe rrugët e anëtarësimit euroatlantik.

Top Channel