Një gomone 12 metra e gjatë u gjet në plazhin e Darzezës, pak para mesnatës së të martës.

Mjeti lundrues me dy motorrë të fuqishëm nga 300 kuaj secili u pikas nga Policia Kufitare në bashkëpunim me efektivët e Guardia di Finanza. Gomonia dyshohet se do të ngarkohej me hashash, ndërkohë që trafikantët duket se e kanë braktisur pasi kanë vënë re ndjekjen e policisë. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur intenerarin e ndjekur nga gomonia, për të cilën nuk përjashtohet mundësia që të ketë ardhur nga brigjet italiane për t’u ngarkuar me drogë.

Nga informacionet e para dyshohet se trafikantëve i ka mbaruar edhe karburanti, ndërsa pak orë pas gomones policia zbuloi në Karaburun një sasi të konsiderueshme hashashi. 500 kg kanabis janë gjetur në Gjirin e Bristanit, një nga zonat ku kryesisht nisen ngarkesat me drogë.

Ndërkohë, policia po heton nëse gomonia e gjetur në Darzezë ka lidhje me sasinë e drogës së zbuluar në Karaburun.

Top Channel