Sanchez: Jo zgjedhje të reja, vijoj me këtë legjislaturë

19/06/2018 01:07

Kur kanë kaluar vetëm pak ditë pasi mori detyrën, kryeministri i ri i Spanjës, Pedro Sanchez hodhi poshtë mundësinë për të thirrur zgjedhje të reja të parakohshme.

Ai tha se është i bindur të vijojë me legjislativin aktual dhe se dëshironte që zgjedhjet e radhës të mbaheshin sipas planit, në vitin 2020.

“Ambicia ime është të shkoj deri në fund të mandatit dhe të thërras zgjedhjet e ardhshme në vitin 2020, ashtu siç ishin planifikuar”, tha Sanchez për TVE-në, transmetuesin publik spanjoll, në intervistën e tij të parë që kur ishte betuar.

Sanchez, i cili rrëzoi paraardhësin e tij konservator Mariano Rajoy muajin e kaluar me një mocion mosbesimi, kontrollon më pak se çerekun e vendeve në parlament.

Pikërisht për këtë arsye, shumica e analistëve në Spanjë besonin se Sanchez do të thërriste zgjedhje të reja, për të konsoliduar pozitat e tij në Parlament, por kjo lëvizje e kryeministrit të ri, befasoi jo pak.

Pedro Sanchez ka ardhur vetëm në muajin maj në pushtet, por brenda pak ditësh ka marrë shumë pikë në profilin e tij publik. Duke filluar nga qeveria me shumicën dërrmuese të përbërë nga gra dhe për të vijuar me pritjen e anijeve me emigrantë, kanë qenë disa nga veprimet e Sanchezit, që janë përshëndetur jo vetëm në Spanjë, por edhe në qarqet e BE-së.

Së fundi, kryeministri i ri ka premtuar një takim të sinqertë me kreun e rajonit të Katalonjës, dhe pranoi se ishte në favor të sjelljes së politikanëve katalanë që aktualisht janë në burg për rolin e tyre në procesin e pavarësisë.

Top Channel