Çdo të diel, duke nisur nga 1 korriku, në orën 15:40 në Top Channel do të transmetohet seriali i ri “Rosy Abate”.

Ajo është rikthyer me një emër të ri, një punë si arkëtare dhe një të dashur. Po e kaluara nuk do ta lërë të qetë. Është biri i saj Leonardo gjallë apo dikush luan me të?

Rozi ka një arsye të re për t’u kthyer sërish të luftojë, por duhet të ruhet nga Luka, një polic dhe shoku më i ngushtë i Franceskos. Që të zbulojë se çfarë fshihet pas planit të Shiarrave, ajo ndërmerr një udhëtim që e çon nga Liguria në Romë, e deri në Sicili, te rrënjët e saj. Por çdo të ndodhë gjatë këtij udhëtimi?

“Rosy Abate” është një “spin-off” – i pari i këtij lloji në Itali – vazhdim i serialit “Antimafia, që kthehet për të treguar historinë e personazhit që tërhoqi miliona italianë. Ata ndoqën shndërrimin e saj, nga një vajzë prej familjeje të mirë, të rritur jashtë vendit, larg dhunës mafioze, në Mbretëreshën e Palermos, një figurë qendrore e dramave të mafies dhe pushtetit.

Kur Rozi u përpoq të largohet nga e shkuara kriminale, u desh të paguante me çmimin më të shtrenjtë, vrasjen e të birit, Leonardos. Pasi u mbyll fillimisht në një spital psikiatrik e më pas në një manastir, Rozi është përpjekur të vazhdojë jetën me një fatkeqësi që është e pamundur të pranohet, duke u izoluar kështu nga bota.

Kur iu rikthye dëshira për të jetuar, sajoi vdekjen për të zhdukur gjurmët e vjetra, dhe u largua nga Sicilia me një identitet tjetër.

Seriali i ri bazohet në këtë përpjekje për të rinisur jetën, duke sjellë një Rozi që ka ndryshuar e që kërkon një jetë më të qetë e më të thjeshtë. Por e shkuara i troket sërish në derë, duke shkatërruar ekuilibrin e kujdesshëm që kishte ndërtuar.

Sfida më interesante për realizimin e Rozi Abates ishte përzierja e traditës me të renë. Respektimi i mitologjisë së një personazhi që u kthye në ikonë, e në të njëjtën kohë duke gërmuar përbrenda, për të zgjuar aspekte të padëgjuara, si dhe duke hapur një dimension të ri të narrativës, më larg aksionit e më pranë psikologjisë së personazheve.

Nuk është më skuadra e Duomos në qendër të veprimeve, por vetëm Rozi, një grua dhe një nënë që përpiqet të tregojë jetën e saj me të gjitha hijet e mundshme…

Top Channel