Sejko: Shënjestrimi i inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, kanë ndihmuar Shqipërinë

18/06/2018 19:05

Guvernatori i BSH, Gent Sejko, mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi, me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, 10 vjet pas krizës financiare globale”, trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit.

Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, të cilët janë zgjedhur dhe zbatohen në Shqipëri, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të konvergjencës, duke mundësuar norma të larta rritjeje ekonomike, stabilitet ekonomik e financiar, dhe rritje e zgjerim të sektorit financiar.

Në veçanti, ai theksoi se regjimi i kursit të lirë të këmbimit ka rritur fleksibilitetin tonë në përballimin e goditjeve dhe ka ndihmuar në reduktimin e kostove të tyre. Ky fleksibilitet u demonstrua së fundmi edhe nga episodi i ngjarjeve të krizës së fundit botërore, kur nënçmimi i kursit të këmbimit i mundësoi Shqipërisë të ribalanconte bilancin e saj të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe mundësoi ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në interes të nxitjes së kërkesës agregate dhe minimizimit të kostove mbi bizneset dhe familjet shqiptare.

Gjatë fjalës së tij Guvernatori theksoi se edhe në regjime të lira të kursit të këmbimit, politika monetare duhet të mbajë parasysh në mënyrë konsistente dhe koherente lëvizjet e kursit të këmbimit, për sa kohë dhe në masën që këto lëvizje ndikojnë ecurinë e inflacionit. Më tej ai u shpreh se masat e marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë janë në koherencë të plotë me këtë filozofi.

Top Channel