Nuk mori pjesë në martesën e vajzës, rrëfehet babai i dukeshës së Sussex

18/06/2018 18:23

Babai i dukeshës së Sussex, Thomas Markle, rrëfen se e bija ka qarë kur ai i tha se nuk do të merrte pjesë në ceremoninë e martesës me princin Harry.

Duke folur për emisionin Good Morning Britain të ITV, ai tha: Unë jam fusnota e një momenti të madh në histori dhe jo babai që shoqëroi të bijën në altar. Kjo më trishton.

Ai tha se e kishte parë ngjarjen në televizion, pasi i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe zbuloi se edhe vetë ai kish qarë teksa shikonte ceremoninë e dasmës dhe thotë se i dukej e pabesueshme që e gjithë bota po shihte në ato momente vajzën e tij.

Ai tha se e kish dhënë lajmin për mungesën e tij në ceremoni gjatë një bisede telefonike emocionale me të bijën dhe princin Harry.

“Ata ishin të zhgënjyer dhe të dy thanë…kujdesu për veten. ne jemi të shqetësuar për ty”. Ai tha se e kish marrë veten mirë nga operacioni në zemër. “U bëra xheloz. por isha edhe i nderuar. Nuk mund të mendoja për dikë tjetër, më të përshtatshëm, për të më zëvendësuar, se sa princi Charles. Sytë mu mbushën me lot, ndërsa ai shoqëronte Megan në altar. Do të kisha dashur që të kisha qenë unë personi që do ti mbaja dorën asaj.

Pak ditë para dasmës, Markle u përfshi në një skandal pas raporteve se ai kishte inskenuar për paparacët foto të tijat ku ai dukej sikur po përgatitej për dasmë, si për shembull marrja e masave për një kostum të ri. Ai shpjegon se duhej që ajo të ishte një mënyrë për të përmirësuar imazhin e tij, duke shtuar se gjithçka në përfundim shkoi keq. E kuptoj që ishte një gabim, por asgjë nuk mund të zhbëhet – tha ai.

Top Channel