Mbylljen e portalit “Kryeministri.al” e kanë konsideruar censurë ndaj shprehjes së lirisë së fjalës deputetët e opozitës në Komisionin e Medias, mbledhur këtë të hënë.

“Nuk ishte një portal, ishte një faqe e kopjuar, por që përdorte dy elementë, të cilat shkaktonin problem tek ne. Kemi kërkuar të mbyllet për dy arsye: është një faqe e kopjuar ku përdoret simboli i Republikës së Shqipërisë dhe e dyta përdorimi jonormal i një portali qeveritar që krijon mundësinë për krim kibernetik. U përpoqëm të kontaktonim administratorin e faqes, por nuk kishte info për të cilën të mund të konsiderohej një portal. Në këto kushte iu drejtuam AKEP. Kemi bërë bllokim të pjesshëm të portalit. Me heqjen e këtyre dy elementëve që ne i quajmë mundësi potenciale për ndërhyrjen në sistemet kritike të vendit, mund të bëhet i aksesueshëm. Presim të komunikojmë me administratorin”, shprehet Vilma Tomco, Agjencia Kombëtare për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

“Kemi zbatuar vetëm ligjin. E bëjmë në mënyrë sistematike këtë gjë. Është një portal i regjistruar me domain.com, pra një domain që nuk administrohet nga Shqipëria, nëse do ishte me domain.al nuk do alokohej fare siç nuk alokohen faqe me emra institucionesh apo individësh. Ka rregulla për këto. Nëse kërkon në web ëhitehouse.com nuk ka domain që merret me gjëra nga qëllimi i ndryshëm nga ai i njohur”, thotë Ilir Zela, Drejtor i AKEP.

Sipas opozitës, një portal nuk mund të mbyllet pasi ka përmbajtje satire, në të kundërt deputetët do të kishin kërkuar nga AKEP, mbylljen e televizionit ER TV për të njëjtën arsye.

“Po ta kërkojmë ne do mbyllet aksesimi i këtij televizioni brenda ditës? Për më tepër që shpërndan informacione ‘fake news’?”, tha Luciano Boçi, deputet PD.

Komisioni kërkoi në mbledhjen e radhës me Agjencinë Kombëtare për Certifikimin dhe Sigurinë KIbernetike ta njohë me kërkuesin e mbylljes së këtij portali si edhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurës që është bërë për mbylljen e portalit “Kryeministri.al”.

Top Channel