Krerët fetarë, letër Merkel e Macron: Hapni negociatat për Shqipërinë

18/06/2018 19:40

Kur jemi në prag të vendimit për hapjen e negociatave me BE, krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri i kanë dërguar një letër kancelares Merkel dhe Presidentit francez Macron, ku i kërkojnë dhënien e dritës jeshile për Shqipërinë.

“Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës. Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Evropës. Është një histori që ka rrënjë mijëra vjeçare. Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Evropian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore. Ne i jemi mirënjohës Zotit për faktin se historia e popullit shqiptar ka treguar një jetëgjatësi të qëndrueshme të vlerës së respektit për dallimin fetar, duke jetuar së bashku në harmoni si një familje”, thuhet në letër.

Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës, thuhet më tej në letër.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre evropianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, më këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto. Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës. Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave evropiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë”.

Letra është firmosur nga krerët e bashkësive fetare në Shqipëri, Kryetari i Komunitetit Mysliman Skënder Brucaj, Kryepeshkopi i Tiranës dhe i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë i Kishës Ortodokse Autoqefale, Prof. Dr Anastasios, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Episkopale Shqiptare dhe Arqipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, Kryegjyshi Botërior i Kryegjyshatës së Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ylli Doci.

Top Channel