“Nuk e kam idenë përse u ka ndodhur të tjerëve, por me ne nuk ka për të ndodhur, do ta kalojmë grupin”. Kjo është përgjigjja e trajnerit të Gjermanisë Joachim Löw, kur i kanë sjellë ndërmend atë “mallkim” që prek kampionët në fuqi të botës, veçanërisht në 3 nga 4 turnetë e fundit.

Ajo që dihet është se në këto 3 kampionate, ata që vinin me petkun e kampionit dhe që synonin të rikonfirmoheshin, u kthyen në shtëpi pas fazës së grupeve. Gjermania nuk e ka këtë zakon, por pas humbjes në ndeshjen e parë debutuese, kushdo ka pasur të drejtë ta ngrejë si çështje për diskutim.

“Është zhgënjyese që e humbëm ndeshjen e parë. Nuk jemi mësuar me këtë lloj situate, pasi zakonisht i kemi fituar gjithmonë takimet e debutimit. Megjithatë, duhet të përshtatemi edhe me këtë risi. Nuk kemi pse të tërbohemi, apo të ndryshojmë tërësisht natyrën e lojës sonë. Nuk shoh vend për t’u përfshirë nga paniku. Kemi ende dy ndeshje për të korrigjuar këtë rezultat”, është shprehur Löw pas humbjes 0-1 me Meksikën.

E sigurtë, gjithsesi, është se në Gjermani e jo vetëm, jo të gjithë ndihen të rehatuar. Shqetësimi vjen pjesërisht për shkak se nuk janë mësuar me një situatë të tillë, e do të jetë sërish problem edhe nëse “panzerat” kualifikohen mes vështirësive, pasi rrezikohet një përplasje me Brazilin në 1/8-at e finaleve.

“Ajo që mund të them tani është se nuk e mendoj farë kundërshtarin e fazës tjetër. Ne jemi nën presion për të bërë më mirë në dy ndeshjet e tjera, ndërsa përballjet e ardhshme nuk na interesojnë”, tha trajneri i Gjermanisë, 4 herë kampione e Botës.

Sipas tij, problemi në ndeshjen e parë nuk ishte fizik. “Në pjesën e dytë patëm një rritje të theksuar të lojës, e ky është një tregues që tregon se energjitë nuk na mungojnë. Por në pjesën e parë kemi luajtur shumë keq, mbi të gjitha sepse humbëm shumë topa në mesfushë. Ishim disi nervozë, neglizhentë, nuk krijuam hapësira dhe nuk dubluam lojtarët në krah, siç kishim planifikuar. Duhet të analizojmë atë çfarë ndodhi dhe të kuptojmë përsenë”.

Top Channel