Rama u kërkon llogari deputetëve: Pse nuk jeni pranë njerëzve. Administrata, me konkurs

18/06/2018 11:24

Edi Rama mblodhi mëngjesin e së hënës grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku mësohet se është treguar mjaft i ashpër me deputetët e tij, të cilët i ka fajësuar se kanë harruar problemet e qytetarëve.

“Ata kanë halle, pse nuk jeni pranë tyre?”, citohet të jetë shprehur kryeministri duke kërkuar llogari. Ndonëse gara e ardhshme elektorale është ende një vit larg, Rama ka porositur deputetët që të bëjnë kujdes maksimal me qytetarët.

“Kemi para zgjedhje të vështira dhe duhet të përgatitemi”, është shprehur kryeministri sipas atyre që ishin prezent në mbledhje.

Burimet tregojnë se Rama ka qenë i ashpër edhe përsa i përket punësimeve. “Emërimet në administratë duhet të bëhen përmes konkurseve. Lërini konkurset të funksionojnë, mos u merrni me punësimet duke ndërhyrë me sms”, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Ai gjithsesi nuk e ka fshehur pakënaqësinë me funksionimin e administratës shtetërore. Duke iu referuar turit të llogaridhënies publike, Rama ka theksuar se problemet që ngrihen nga njerëzit vijnë nga paaftësia e drejtorëve. “Kemi drejtorë institucionesh të paaftë dhe jo korrektë që nuk kanë përformancë të lartë. Ka shumë ankesa nga qytetarët që nuk u zgjidhen hallet, por përcillen sa nga një zyrë në tjetrën”, ka deklaruar Rama në grupin parlamentar të PS.

Top Channel