Gafurr Mazreku “Qytetar nderi”, Rama i kërkon Prefektit refuzimin e vendimit

18/06/2018 17:03

Me anë të një deklarate për shtyp nga zyra e Kryeministrisë, Edi Rama distancohet totalisht nga vendimi i këshilltarëve të Hasit, të cilët shpallën qytetar nderi Gafurr Mazrekun.

“Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar”, thotë në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se Rama i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi.

Ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit.

“Duke i konsideruar akuzat vulgare të Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës së emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit, kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ato s’janë asgjë tjetër veçse ana tjetër e medaljes së këtij episodi të politikës qorre e shurdhe të interesave më të ulëta”, mbyllet deklarata e Kryeministrisë.

Top Channel