Debat për drejtësinë, dështon raportimi i Gjonajt për luftën kundër krimit

18/06/2018 15:12

Demokratët e nisën javën me një mbledhje të grupit parlamentar, por pa të reja në raport me aksionin politik të opozitës.

Kjo u reflektua vetëm pak minuta më pas në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj do të raportonte për ecurinë e luftës kundër kriminalitetit sipas rekomandimeve që qeveria i ka lënë prokurorisë në vitin 2017.

“Ti për Tahirin nuk flet, për Xhafajn jo, për Nezarin jo.Për ca do flasësh? Për koleksionin pranvere- verë”, tha deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.

“Po lëre të flasë”, ndërhyri kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
“Sfidoni dhe shqiptarët me pelegrinazh”, iu përgjigj Alibeaj. “Bëni dhe ju pelegrinazhin tuaj”, i tha Manja.

Mungesa e raportit të ministres së Drejtësisë në tryezën e deputetëve u ngrit si problem nga opozita, por i shërbeu edhe mazhorancës për t’i dhënë fund mbledhjes së komisionit pa produkt.

Prokuroria nga ana e saj nuk e ka prezantuar ende raportin vjetor në Kuvend, dhe në kalendarin e punimeve deri më 6 korrik nuk është i parashikuar. Në çdo rast Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku do t’i duhej të fliste për punën e organit të akuzës në vitin 2017 kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla.

Top Channel