Krimi në familje godet sërish. Kësaj radhe gruaja ka ekzekutuar bashkëshortin e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Tregun e Milotit, ku çifti shiste për të siguruar jetesën e tyre dhe dy fëmijëve minorenë.

Por ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe dalja në treg është kthyer në një tragjedi. 35-vjeçarja Violeta Donaj ka qëlluar për vdekje me armë zjarri bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj, 42 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas krimit 35-vjeçarja ka tentuar të largohet, por është arrestuar nga policia, e cila ka sekuestruar edhe armën e krimit, një pistoletë.

Ngjarja është parë nga shumë dëshmitarë okularë, të cilët kanë pohuar se para krimit çifti Donaj ka debatuar me njëri-tjetrin dhe më pas gruaja ka nxjerrë pistoletën dhe janë dëgjuar katër të shtëna me armë zjarri.

Të dhënat paraprake flasin se mes çiftit mund të ketë patur konflikte për çështje xhelozie, por grupi i hetimit ende nuk ka dalë me një version zyrtar mbi motivet e këtij krimi të rëndë.

Fakti që gruaja e ka patur pistoletën me vete ka ngritur dyshime për policine se kjo vrasje mund të ketë qenë e paramenduar.

Top Channel