Pritja për të parë në fushë një tjetër pretendent për Botërorin e futbollit u ezaurua mbrëmjen e kësaj të diele por Brazili nuk arriti të rikonfirmojë hierarkinë e tij në turneun e kësaj vere në Rusi. Skuadra e trajnerit Tite barazoi 1-1 ndaj Zvicrës në grupin E, dhe komplikon disi llogaritë e kualifikimit për në fazën e eliminimit direkt.

Vetëm 20 minuta lojë zgjati baraspesha pasi tifozët në impiantin e Rostovit admiruan perlën e brazilianit Coutinho nga distanca. Mesfushori i Barcelonës i dha epërsinë Seleçaos me një harkim spektakolar që përfundoi në rrjetën e helvetikëve pa mundur të bëjë asgjë portieri Zomer. Brazilianët patën shanse të tjera për të shënuar por me kaq u mbyll pjesa e parë.

Rinisja e lojës pas pushimit solli ndëshkimin e Brazilit në një vendosje të keqe në goditje këndi. Në zonën e skuadrës karioka, më lart se të gjithë kërceu Zuber që shënoi me kokë në kuadratin e mbrojtur nga Alison. Formacioni i trajnerit Tite provoi sërish me Coutinho, Willian dhe Neymar. Ky i fundit në minutat finale mund të shënonte me pak fat më shumë. Barazimi mori formën zyrtare me fërshëllimën e trefishtë dhe tani 5 herë kampionët e botës janë të detyruar të fitojnë me Kosta Rikën në 22 qershor në orën 14:00.

Zvicra ndërkohë kalon pozitivisht përballjen më të vështirë të grupit ndërsa për tu shënuar gjithashtu, është rekordi i Valon Behramit. Lojtari me origjinë kosovare bëhet i pari futbollist në historinë e përfaqësueses helvetike, që luan në 4 botërorë.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel