Në ditën kur Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëronte qytetarët amerikanë të shmangin planet për turizëm në Rusi, sepse mund të bëhen objekt terrorizmi ose ngacmimesh, një taksi u përplas mbi një grup tifozësh në trotuar, duke shkaktuar frikën e një episodi të qëllimshëm.

Mes personave të plagosur nga incidenti në rrugën “Ilinka”, 200 metra larg Sheshit të Kuq, kishte edhe tifozë meksikanë. Në spital kanë përfunduar gjithashtu dy rusë e një ukrainas.

Pas përplasjes, shoferi është përpjekur të largohet nga vendi i ngjarjes , por kalimtarët e rastit i janë vënë pas, duke e mbërthyer në vend. Sipas policisë, patenta e tij tregon se është nga Kirgistani. Vetë i ndaluari pretendon se bëhet fjalë thjesht për një gabim dhe se ngjarja nuk ka aspak sfond terrorist.

“Isha i lodhur e mezi po prisja të shkoja në shtëpi e të flija gjumë, ka rrëfyer ai, e në vend që të shkelja frenat, pa dashje i dhashë makinës gaz”.

Paralajmërimi i DASH thoshte se aktivitete të mëdha ndërkombëtare si Botërori “përbëjnë një objektiv me interes për terroristët” dhe se “sulmet mund të ndodhin papritur në objekte që tërheqin të huajt, në mjete të transportit urban ose në vende publike”.

Po sipas udhëzimit “qytetarët amerikanë bëhen shpesh viktima frikësimesh, keqtrajtimesh dhe ngacmimesh të tjera nga forcat e rendit dhe zyrtarë të tjerë” dhe në mjaft raste “personeli konsullor pengohet në përpjekjet për t’iu ofruar ndihmë shtetasve”.

Top Channel