Skena e ndërtuar para Teatrit Kombëtar vihet në jetë çdo pasdite të vonë, nga performaca të artistëve të ndryshëm, por edhe duke qenë në shërbim të qytetarëve që ata të flasin dhe komunikojnë. Ashtu si një kuvend i munguar qytetarësh, siç shumë e kanë quajtur.

Të dielën në mbrëmje do të ketë një performancë të quajtur “Ç’më panë sytë”, me monologje kushtuar Teatrit, nga Robert Budina dhe Klod Dedja.

“Kjo godinë nuk përfaqëson vetëm llaç e tulla, siç duan ta banalizojnë, por përfaqëson vetë ndërgjegjen e artistëve, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Kaq meritojmë të kemi, këtë kemi. Nëse ne duam ta restaurojmë, do të thotë që ne duam të ngremë lart kulturën”, u shpreh regjisori Robert Budina.

“Kjo skenë dhe këto protesta do të jenë të përditshme, derisa vetë qeveria të tërhiqet nga ky projektligj”, tha Alida Karakushi, aktiviste e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Se sa do të merret kjo parasysh, i takon procesit, por dyshimi tek artistët qëndron tek fakti se sa fuqi do të ketë fjala e tyre. Këtë ata presin që ta tregojë reagimi qytetar.

“Nxitimi dhe mosdiskutimi ka sjellë një moskuptim dhe një keqdashje të madhe. Patjetër që kam dyshimet e mia që e gjithë kjo punë po bëhet për një tjetër gjë, për një hapësirë tjetër që është mbrapa, që mund të jetë kompetencë e bashkisë, por nuk ka pse të kalojë në parlament”, shprehet aktori Genc Fuga.

Edhe njëherë theksi do të vihet tek ruajtja e sipërfaqes së paprekur të Teatrit Kombëtar, sepse ata mendojnë që partneriteti publik-privat do të ngrihet në kurriz të teatrit.

Top Channel