Opozita ka thirrur në seancë dëgjimore në Komisionin e Edukimit dhe Medias, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Kërkesa e firmosur nga deputetët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që janë anëtarë të këtij komisionit, kërkojnë që kryebashkiaku Veliaj të raportojë para tyre në lidhje me Teatrin Kombëtare.

Gjatë ditës, Erion Veliaj u takua me artistët, të cilët kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Janë 30 milionë Euro. Nëse ne do të pranonim ta bënim vetë për 13 vite nuk do të kishim asnjë investim. Ky është vetëm një ligj që thotë zyrtarisht po e hapim këtë diskutim”, u shpreh ai me ta Veliaj.

Pavarësisht kundërshtive dhe polemikave njëzëri ata u shprehën kundër parteritetit publik privat dhe ruajtjes së sipërfaqes ekzistuese të teatrit.

“Mund të riparohet dhe mund të dalë një gjë e shkëlqyer dhe jo me 30 milionë Euro. Kam bindjen se të kanë gënjyer me atë 30 milionë euro”, u shpreh Robert Ndrenika.

Nëse janë për një tetar të ri apo për një rikostruksion të godinës ekzistuese nuk ka një përcaktim të qartë, në këtë pjesë artistët janë të ndarë.

“Një tabor që thotë o ky e të rikonstruktohet, e një tabor që thotë se ky që kemi nuk bën, të bëjmë një të ri. Nëse nuk keni mundësi ta financoni rikonstruktoni këtë që keni. Lëreni Shqipërinë që të zhvillohet deri në momentin që do keni para ta bëni atë”, u shpreh Altin Basha.

Ndërsa sa i përket projektligjit, mendimi ishte i përbashkët që ai mund të presë e më parë diskutime të tilla të vazhdojnë më gjatë derisa të ketë një dakordësi për të ardhmen e Teatrit Kombëtar.

Top Channel