“Nëse Demokratët amerikanë bien dakord me komentet seksiste të Sorosit, e kanë punën pisk”

14/06/2018 00:05

Një vit e gjysmë pasi Donald Trump hyri në Zyrën Ovale, (duke përforcuar faktin se burra jo të kualifikuar mund të fitojnë përballë grave të kualifikuara, me pak më shumë se mëri gjinore dhe racore), të qenit grua në politikë nuk është bërë më e lehtë. Dhe problemet nuk janë thjesht me kundërshtarët tipikë të grave liberale. Problemet vijnë edhe nga progresistët.

Xhorxh Soros, për shembull, është një njeri që financon çështje progresive, që e përdor pasurinë për të bërë mirë. Megjithatë, ai tha për Uashington Post se shpresonte që senatorja Kirsten Gillibrand e Nju Jorkut të mos e fitonte kandidimin për presidente, pasi ajo e kishte shtyrë senatorin Al Franken të dorëhiqej për shkak të akuzave për ngacmime seksuale. Sorosi tha se ajo i kishte ngritur akuzat për t’i shtuar vetes mundësitë për kandidimin me demokratët në zgjedhjet e vitit 2020.

Gillibrand, e cila ka qenë shumë aktive për ta shtyrë Kongresin të merret me ngacmimet seksuale, tha se e kishte pasur shumë të vështirë të deklaronte publikisht se Franken duhej të dorëhiqej, edhe pse kolegët demokratë e mbështetën shumë shpejt thirrjen e saj.

Sorosi, duke e zgjedhur Gillibrandin si demokraten që nuk do ta shohë të suksesshme, thekson edhe një herë një narrativë të zakonshme por të lodhshme tashmë: gratë ambicioze minojnë një burrë të aftë (që gjithashtu ishte ambicioz, por në këtë rast ishte gjë e mirë). Është një stereotip helmues që mbyt mundësitë e grave për sukses, jo vetëm në politikë, por pothuajse kudo. Është i njëjti stereotip që vështirëson akuzat që ngrihen kundër përdhunimit, kur krijohet gjithnjë ai hamendësimi, (herë i fshehur mes nënkuptimeve, herë jo), që akuzuesja mund të shkatërrojë jetën e një të akuzuari duke hedhur hije mbi punën e tij. Është i njëjti stereotip që i bën gratë ambicioze të shigjetohen si “bushtra” që s’i pëlqen dot njeri.

Por këtu ka një hamendësim edhe më të madh, më i dëmshëm dhe më i vështirë për t’u ndryshuar. Besimi bazë se burrave u takon një pozicion pushteti, ndërsa gratë janë uzurpuese. Gillibrand, si grua në politikë, është vërtet duke rrëzuar pengesa për gjininë e saj, por bashkë me këtë vjen hamendësimi se ajo duhet ta tregojë se sa e zonja është për atë rol, në mënyra që burrat nuk i hasin.

Franken, politikat e të cilit kanë qenë të pëlqyera nga Soros dhe nga progresistë të tjerë, shijonte hamendësimin se i takonte vendi në senat. Kur ky hamendësim u sfidua, jo nga një grua mashtruese që donte ta rrëzonte nga posti, por nga veprimet e tij, të kapura në kamera, pjesa më e madhe e zemërimit ishte ndaj gruas që po fliste, jo ndaj burrit që i kishte kryer ato veprime të papranueshme.

Gillibrand mbetet një nga anëtaret më liberale të Senatit. Politikat e saj anojnë nga e majta pothuajse për çdo çështje. Me çështjen e armëve ka qenë më e moderuar dikur, më herët gjatë karrierës. Midis asaj dhe Frankenit nuk ka shumë ngjashmëri ideologjike. Ajo është njohur gjithashtu si negociuese e zonja, grua që është e aftë në punën që bën. Megjithatë, ndryshe nga Franken, ajo s’ka përfituar ndonjëherë nga hamendësimet se i takonte roli që po bënte.

Mënyra se si Franken u largua nga Senati lë vend për shumë kritika të drejta, dhe një argument i mirë është që duhej të ishin bërë më shumë hetime zyrtare para se të merrej një vendim. Por teksa përballej në shkallë ndërkombëtare me telashet e ngacmimit seksual dhe të dhunës seksuale, ajo që bëri Gillibrand nuk ishte diçka e llogaritur.

Ajo nuk është budallaqe. S’mund të ketë menduar se po të kërkonte dorëheqjen e një prej anëtarëve më të dashur të Senatit, do të fitonte popullaritet pozitiv. Por ajo vuri në rrezik karrierën dhe imazhin publik duke përkrahur gratë që përballen me burrat që sillen keq, edhe pse nuk i leverdiste. Dikush mund të përfytyrojë se për të ka qenë diçka personale: Gillibrand  shkroi edhe për komentet e shpifura e seksiste që i bënin vazhdimisht kolegët meshkuj. Prej saj pritej që thjesht t’i duronte. Fundja, korridoret e Senatit u takonin atyre.

Në epokën e Trump-it, mund të hamendësosh se më shumë gra do të kishin arritur në përfundimin se seksizmi i pakontrolluar ka implikime më të thella se thjesht bezdi personale. Mund të jetë një forcë shtytëse për veprime të tjera dashakeqe  dhe abuzim pushteti. Me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit, të cilat kanë numrin më të lartë të kandidateve femra, (garë që do të pasohet nga të tjera zgjedhje, ku disa prej pretendenteve janë gra), mbetet për t’u parë nëse demokratët, sidomos ata me pushtetin për të ndikuar zgjedhjet, e kanë marrë mësimin e vitit 2016. Komentet e Sorosit tregojnë që është një pjesë e madhe e elektoratit demokrat, (besoj, kryesisht mashkullor), të cilët nuk kanë mësuar gjë.

Jill Filipovic, CNN

Top Channel