Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov deklaroi se “marrëveshja me Greqinë është e dëmshme” dhe se ai nuk do ta firmosë atë.

“Qeveria nuk gjeti mundësinë dhe kurajon që të arrijmë konsensusin e përbashkët. Procesi nuk ishte transparent dhe këtë e dëshmoi edhe rezultati përfundimtar. Është shkelur gjithçka që është e shenjtë për Maqedoninë”, u shpreh Ivanov në një konferencë për shtyp.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov dorëzuan në Presidencë marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Por takimi i tyre me kreun e shtetit nuk zgjati më shumë se 2 minuta sepse Gjorgje Ivanov u çua e doli nga zyra pa pranuar të informohet rreth përmbajtjes së ujdisë.

Më herët, lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski reagoi ashpër pas vulosjes së paktit, duke deklaruar se kjo ishte një ditë e vështirë për Republikën e Maqedonisë dhe për qytetarët e saj. Mickoski e quajti këtë zhvillim një “marrëveshje kapitullimi”.

“Pa marrë parasysh se si Zaev demonstron eufori, mund të shohësh nga larg se kjo është një humbje. Negociatat u mbajtën të fshehta. Opozita dhe VMRO-ja nuk u përfshinë në bisedime, tani është e qartë se pse. Në thelb, e ashtuquajtura kontratë është pranimi i të gjitha pozicioneve greke”, u shpreh ai.

Marrëveshja është përshëndetur ndërkohë nga Shtetet e Bashkuara si dhe shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini e Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn. Përmes një deklarate të përbashkët, dy zyrtarët e lartë evropianë thanë se një hap i tillë është jo vetëm i merituar si mirënjohje për rezultatet e rëndësishme reformatore të Maqedonisë, por do të ndihmojë edhe në zbatimin e plotë të ujdisë në interes të të dy shteteve, rajonit dhe BE-së në përgjithësi.

Greqia ka luftuar që të ndryshohet emri i Maqedonisë që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 1991. Ngërçi 27-vjeçar mes dy vendeve fqinjë u mbyll një ditë më parë falë emrit të ri Republika e Maqedonisë Veriore.

Top Channel