Qeset plastike janë kthyer në emergjencë kombëtare. Në Shqipëri përdoren mbi 1 milion qese në ditë, duke e renditur vendin tonë të parin në Evropë për përdorim të qeseve plastike për frymë.

Së fundi, kryeministri Edi Rama bëri këtë deklaratë: “Po studiojmë marrjen e një vendimi radikal për ndalimin e qeseve plastike në Republikën e Shqipërisë”.

Ambientalistë dhe aktivistë mjedisorë u shprehën optimistë për çka planifikon të realizojë qeveria.

Lavdosh Ferruni thotë: “Ndalimi i qeseve është domosdoshmëri. Duhet të kishte ndodhur edhe më përpara. Zgjidhja radikale është më e mira. Nuk e mban dot më ky vend këtë ndotje”.

Ndërsa aktivisti mjedisor Ened Mato ka këtë qëndrim: “Çdo teori është bosh. Këtu ka nevojë vetëm për një ligj: qesja të zhduket përgjithmonë. Kemi një det me më shumë qese sesa peshq. Deti Jon dhe Adriatik është plot me qese. Lumenjtë janë plot e përplot me qese”.

Aktivisti Mato e lidh gjithë situatën me mungesën e kulturës dhe edukatës për të menaxhuar mbetjet, si dhe mungesën e zbatimit të ligjit.

“Ne jemi 3 milionë banorë dhe duam 3 milionë kosha. Ne kemi tentuar që të pastrojmë lumenjtë nga qeset, por është mision i pamundur”, shprehet Mato.

Top Channel