Durrësi ishte stacioni i radhës së mbledhjeve të qeverisë jashtë kryeqytetit, ku kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin për rritjen e pensioneve.

“Kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël, kemi rritur pensionet mbi inflacionin, 15 milionë dollarë plus mbi paketën e pensioneve, me 2.8% duke nisur nga 1 korriku”, deklaroi Rama.

Ndotja ambientale ishte një nga shqetësimet për të cilat kryeministri u pyet nga gazetarët e Durrësit. Ai tha se po studiohen projektet për kthimin e fushës së mbetjeve të Porto Romanos në një park, ndërsa njoftoi se qeveria po shqyrton mundësinë e një vendimi drastik dhe premton që Shqipëria të jetë vendi i parë pa qese plastike.

“Po studiojmë marrjen e një vendimi radikal, ndalimin e qeseve plastike në Republikën e Shqipërisë. Unë jam i prirur drejt këtij vendimi, Shqipëria të jetë vend pa qese plastike për përdorim të përditshëm”, u shpreh kreu i qeverisë.

Përsa i përket akseve rrugore, Rama tha se të dielën hapet kantieri i Rrugës së Arbrit, ndërsa foli edhe për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës: “Po studiojmë një ndërhyrje të thellë rindërtuese, rindërtim-zgjerim të aksit Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Ndroq-Plepa, njeri në të ardhmen me pagesë, tjetri pa pagesë”.

Pas uljes së papunësisë, Rama tha se tjetër lajm i mirë ishte rritja me 61% e investimeve të huaja krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar. Në këtë fushë, Rama tha se në vjeshtë pret konfirmimin për zbulimin e një sasie të madhe nafte dhe gazi, që sipas tij do të ishte një perspektivë e jashtëzakonshme për ekonominë e vendit.

Top Channel