Pas çdo fryrje lumenjsh në Shqipëri, në anë të tyre sheh të “dekoruar” bimësinë dhe pemët me qese të shumëllojta, që uji merr me vete. Pamje të tilla janë bërë të zakonta prej vitesh dhe kuptohet lehtësisht se ndotësit kryesorë janë qeset plastike.

Top Channel ka denoncuar përmes një serie kronikash ndotjen alarmante të mjedisit në zona të banuara, fare pranë zonave të banuara, madje edhe atje ku pretendojmë të zhvillojmë turizmin.

Përpjekjet e autoriteteve qendrore dhe vendore, në mos për të pastruar territorin, të paktën për të reduktuar ndotjen kanë qenë të pakta. Nismat e deritanishme kanë qenë në kuadër të fushatave ndërgjegjësuese. Ndër më të suksesshmet mund të cilësohet ajo e Bashkisë së Tiranës, e nisur me furrat e bukës dhe e vazhduar edhe me disa biznese të tjera për të mos shërbyer qese, ose të paktën ato të mos jepen falas, si përpjekje për të dekurajuar përdorimin e tyre.

Por sërish situata mbetet alarmante dhe në të gjithë Shqipërinë qeset vazhdojnë të përdoren masivisht nga qytetarët. Në rastin më të mirë moria e këtyre qeseve përfundon në koshin e plehrave, e më pas seleksionohen në mënyrë primitive në landfille, ndërsa në rastin më të keq përfundojnë drejtpërdrejtë në mjedis.

Nga një vazhgim i thjeshtë në territor e kupton që situata është e pazakontë dhe ndoshta po të pazakonta duhet të jenë edhe masat. Një të tillë e paralajmëroi Kryeministri Edi Rama këtë të martë.

“Ne po studiojmë marrjen e një vendimi radikal për ndalimin e qeseve plastike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Jemi duke e studiuar sepse ka anë pozitive të panumërta. Ka edhe disa anë problematike që ne po i studiojmë me kujdes. Do të marrim një vendim që Shqipëria të jetë një vend pa qese”, tha ai.

Kryeministri tha se koha nuk premton për të pritur ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Top Channel